Për herë të parë në Shqipëri ‘Java Kulturore Meksikane’! Festohet 50 vjetori i marrëdhënieve diplomatike

Për herë të parë në Shqipëri ‘Java Kulturore Meksikane’! Festohet 50 vjetori i marrëdhënieve diplomatike

Për herë të parë në vendin tonë do të organizohet Java Kulturore Meksikane. Nga datat 13 deri me 16 Nëntor, kjo javë do jetë e mbushur plot me evente, ku arti dhe tradita bashkohen në një festë të paharrueshme kulturore. Jo vetëm kaq, pasi  këto evente do jenë edhe  si një mënyrë për të festuar 50 vjetorin e marrdhënieve diplomatike Shqipëri-Meksikë.

Përgjatë këtyre ditëve do mund të shijoni shfaqje filmash e dokumentarë që do t’ju njohin me histori njerëzore emocionuese. Mund të merrni pjesë në një bisedë me Ambasadorin e Meksikës dhe në inaugurimin skulpturës Alebrije “Fëmija Monarca”, teknikë karakteristike e artit meksikan. E nuk ka si të mungonë zbulimi i shijeve meksikane me anë të degustimit të pjatave tradicionale dhe tequila-ve. Po ashtu do të shijoni tingujt e muzikës së Israel Varela Ensemble, në një koncert live.

 Programi i Javës Kulturore Meksikane do të nise më 13 Nëntor, ora 11:00, në ambientet e COD në Kryeministri, me një aktivitet “Diplomacia dhe Kultura”, ku pjesëmarrës do të jetë edhe Ambasadori i Meksikës në Itali, Carlos Eugenio Garcia de Alba Zepeda. Ky i fundit, do të mbaje edhe me datë 14, ora 19:00, një konferencë me temë “Diaspora Meksikane, politikat publike” si dhe do të nënshkruaje një Memorandum Mirëkuptimi midis AIIS dhe COMEXI.

Më 13 Nëntor, tek Holli i Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë, do të inaugurohet po ashtu skulptura Alebrije – “Fëmija Monarka”, e realizuar me rastin e 50-vjetorit të Marrëdhënieve Diplomatike mes Shqipërisë dhe Meksikës. Kjo vepër arti përfaqëson një dhi shqiptare dhe një flutur shtegtuese monarke dhe vepra ka për qëllim të simbolizojë miqësinë mes dy vendeve përmes dy elementëve të faunës së tyre. Dekori i saj është realizuar me ngjyra akrilike dhe përfaqëson disa motive nga traditat e të dy vendeve, si elemente të artizanatit e xhubletës shqiptare, sipas interpretimit të artistit Ricardo Macías dhe qëndisja Otomi meksikane.

Ndërsa më 14 Nëntor, ora 11:00, tek akademia e filmit Marubi në Tiranë, një ndër regjisorët  më ndikues në Evropë dhe jo vetëm, Jesus Garcés Lambert, do të mbajë Masterclass me temë “Between fiction and documentary, find your own voice”. Po në këtë ditë, ora 19:00, do shfaqet dokumentari “Caravaggio, shpirti dhe gjaku” me prezencë të regjisorit Jesus Garcés Lambert. Ky dokumnetar është një udhëtim emocional përmes jetës, veprave dhe luftërave të Michelangelo Merisi da Caravaggio, një prej artistëve më të dashur, të diskutuar dhe misteriozë në historinë e artit, i rrëfyer përmes dokumenteve origjinale të çmuara, të cilat shfaqen për herë të parë në ekranin e madh.

Kurse për të gjithë ata qe duan të shijojnë ushqimet dhe pijet meksikane, më 14 Nëntor, do të organizohet një event degustimi pjatash meksikane dhe tequilash. Nga ushqimi i ngushëllimit (tamales) apo ushqimi i rrugës (tacos), deri tek chile relleno, që është një pjatë festive, ato mund të shijohen në ora 20:00, tek Destil Creative Hub në Tiranë.

 Java Kulturore Meksikane do të mbyllet me një koncert më 16 Nëntor, ora 19:00, tek Katedralja Ortodokse në Tiranë, të artistit Israel Varela, ku do të prezantojë një pjesë nga albumi i tij i 10-të “Frida en Silencio”. Ky album i dedikohet artistes gjeniale meksikane Frida Kahlo. Përveç këngëve nga albumi i 10-të i tij nuk do të mungojnë edhe disa pjesë të përzgjedhura nga albumi “”Elesius”.

Kompozimet origjinale të Varela-s janë një përzierje e rrallë e jazz-it, me ritmet e shpejta të flamencos dhe studimin e gjeometrisë së shenjave. Israel Varela është një nga artistët më të arrirë të brezit të tij dhe për pesëmbëdhjetë vitet e fundit ka qenë një nga muzikantët më të kërkuar të Jazz/World/Flamenco në Evropë, Azi, Lindjen e Mesme dhe Amerikë, duke udhëtuar vazhdimisht nëpër botë. Origjinaliteti dhe stili i tij dallues si kompozitor, baterist, këngëtar dhe producent e kanë lejuar atë të performojë me eksponentët më të mëdhenj të xhazit, flamenkos, muzikës klasike dhe popit.