Një qytetar ka shpërthyer në zemërim duke shkatërruar me levë xhamat e një dyqani të One Albania në Tiranë, në një incident që sipas burimeve lidhet me pakënaqësinë ndaj shërbimit të kompanisë.
Pasi dëmtoi ambientet, autori iu drejtua punonjësve me fjalët: “O plehra, telefononi Policinë tani”, ndërsa më pas u largua. Fatmirësisht, nga ngjarja nuk pati persona të lënduar.
Edhe pse motivi zyrtar i ngjarjes nuk është konfirmuar ende, burime bëjnë me dije se qytetari ishte acaruar pas problemeve që kishte hasur me shërbimin e operatorit.
Ngjarja vjen në një periudhë kur pakënaqësitë ndaj One Albania janë shtuar ndjeshëm. Shumë klientë ankohen për rritjen e vazhdueshme të tarifave bazë, ndërkohë që pretendojnë se përballen me mungesë sinjali në zona të ndryshme, internet të paqëndrueshëm dhe probleme të tjera teknike, pavarësisht faturave gjithnjë e më të larta që paguajnë.
Edhe pse këto ankesa nuk lidhen domosdoshmërisht me incidentin, ato hedhin dritë mbi klimën e pakënaqësisë që duket se është krijuar mes një pjese të abonentëve të kompanisë.
Policia po punon për identifikimin e autorit dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa deri më tani One Albania nuk ka reaguar zyrtarisht.
