Zara Larsson surprizon me një “homazh” Era Istrefin, “Bon Bon” rikthehet në qendër të vëmendjes

Zara Larsson surprizon me një “homazh” Era Istrefin, “Bon Bon” rikthehet në qendër të vëmendjes

Një postim i vetëm i Zara Larsson ka mjaftuar për të ndezur rrjetin, sidomos mes fansave shqiptarë. Ylli suedez është shfaqur i veshur me një xhup me pellush rozë, një pamje që për publikun shqiptar lidhet menjëherë me Era Istrefin dhe hitin e saj legjendar “Bon Bon”.

Nëse dikush mendoi se bëhej fjalë vetëm për një ngjashmëri në stil, detaji që vjen më pas e hedh poshtë këtë teori. Zara Larsson e ka shoqëruar postimin pikërisht me këngën “Bon Bon” të Era Istrefit, duke e bërë thuajse të qartë se referenca nuk është aspak rastësore.

Kombinimi i xhupit ikonik me kolonën zanore të hitit që pushtoi botën ka bërë që rrjeti të shpërthejë në reagime. Fansat shqiptarë kanë vënë re menjëherë ngjashmërinë, ndërsa shumë prej tyre e kanë interpretuar si një vlerësim për Erën dhe një rikthim simbolik të një prej videoklipeve më të suksesshme të një artisteje shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Edhe pse Zara Larsson nuk ka komentuar ende mbi zgjedhjen e saj, një gjë duket e padiskutueshme: “Bon Bon” vazhdon të jetë një fenomen i pop-kulturës që, edhe pas kaq vitesh, mbetet frymëzim për artistë të njohur ndërkombëtarisht. Dhe këtë herë ishte Zara Larsson ajo që bëri shqiptarët të kthenin edhe një herë sytë nga hiti që ndryshoi karrierën e Era Istrefit.