RTSH vjen me imazh modern. Prezanton identitetin e ri dhe projektet e sezonit televiziv

RTSH vjen me imazh modern. Prezanton identitetin e ri dhe projektet e sezonit televiziv

Radio Televizioni Shqiptar po hyn në sezonin e ri me një imazh të transformuar dhe një sërë projektesh që synojnë të modernizojnë transmetuesin publik, si në ekran ashtu edhe në platformat digjitale.

Identiteti i ri vizual u prezantua gjatë një eventi në hollin “Gjon Simoni”, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve, gazetarë, artistë dhe figura të njohura të televizionit. Të pranishëm ishin edhe Blendi Gonxhja, Mirela Kumbaro dhe Radka Betcheva, drejtuese e EBU-së për Marrëdhëniet me Anëtarët për Evropën Qendrore dhe Lindore.

Drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së, Eni Vasili, e cilësoi ndryshimin si pjesë të një procesi më të gjerë që synon të çojë përpara historinë dhe eksperiencën e institucionit, duke i përshtatur ato me realitetin e sotëm mediatik.

“Është një paketë grafike e re, shumë e bukur, moderne, ashtu siç duam që të jetë RTSH-ja”, u shpreh Vasili, duke theksuar se synimi është që eksperienca e grumbulluar ndër vite të projektohet drejt së ardhmes.

Pas një viti të fokusuar te riorganizimi dhe normalizimi i institucionit, drejtuesja e RTSH-së tha se objektivi i radhës është që televizioni publik të marrë një pozicion më të fortë në tregun mediatik shqiptar dhe të fitojë më shumë vëmendjen dhe besimin e audiencës.

Ndryshimet do të shihen edhe në programacion. Sezoni i ri sjell prezantues dhe autorë të rinj, formate të reja, spektakle, filma, dokumentarë dhe programe për fëmijë. Aktualiteti dhe debati politik do të vijojnë gjithashtu të jenë pjesë e rëndësishme e programacionit, veçanërisht në fashën prime time.

Një nga projektet kryesore është platforma e re OTT, me të cilën RTSH synon të shkojë përtej transmetimit tradicional dhe t’i bëjë përmbajtjet e veta më të aksesueshme në telefon, aplikacione dhe pajisje të tjera digjitale.

Edhe identiteti grafik është konceptuar për këtë realitet të ri. Logoja dhe elementet vizuale do të funksionojnë në mënyrë të unifikuar në televizion, website, rrjete sociale dhe platformat e tjera. E kuqja mbetet një element i rëndësishëm i identitetit, duke krijuar një lidhje mes historisë së RTSH-së dhe pamjes së re.

Radka Betcheva nga EBU e konsideroi transformimin më të gjerë se një ndryshim estetik, duke evidentuar identitetin e ri, figurat e reja të ekranit, platformën OTT dhe projektet e paralajmëruara si pjesë të zhvillimit të transmetuesit publik.

Risi priten edhe në përmbajtjen artistike. RTSH ka paralajmëruar një paketë serialesh ndërkombëtare, nga produksionet turke te dramat dhe prodhimet historike evropiane, duke synuar një ofertë më të larmishme dhe më pranë modelit të platformave streaming.

Me pamjen e re, teknologjinë dhe ndryshimet në programacion, RTSH synon që sezonin e ri ta shndërrojë në pikënisjen e një etape të re, ku historia e transmetuesit publik të bashkëjetojë me kërkesat e audiencës së sotme.