Andrushi nuk është një personazh i panjohur. Autori e prezantoi më parë te libri i parë “Andrushi” (Fitues i Çmimit të Letërsisë për fëmijë, Panairi i Librit “Prishtinë, 2024”; Shoqata e Botuesve të Kosovës), dhe e rikthen në librin e ri si protagonisti i një serie për fëmijë. Arsyeja kryesore pse autori e përdor, përsëri, të njëjtin personazh është e zakonshme dhe e njohur te letërsia për fëmijë: – një personazh i dashur dhe i njohur krijon vazhdimësi, lidh emocionalisht fort me lexuesin e vogël dhe lejon ndërtimin dhe zhvillimin e aventurave të reja me të njëjtat vlera artistike, pedagogjike dhe morale.

Andrushi është një personazh antropomorfik (“Një ketrush i ëmbël”) me tipare që e bëjnë të lehtë identifikimin e fëmijëve (kurajo, solidaritet, kuriozitet). Përsëritja e figurës krijon kontinuitet narrativ: fëmijët e njohin botën, rregullat dhe miqtë e tij, kështu që çdo libër mund ta zgjerojë temat pa rindërtuar gjithçka nga e para. Autori përdor me mjeshtëri figurën për të mësuar vlera (bashkëpunim, përgjegjësi, ndjenja) nëpërmjet aventurave të ndryshme.
Aventurat e Andrushit janë të strukturuara si përrallë animalistike me ritëm të shpejtë, ngjarje të papritura dhe humor të besueshëm, – elemente këto, që mbajnë fëmijën të angazhuar duke “dialoguar” pandërprerë me librin që e tërheq. Në thelb, ato, janë aventura të lehta, të bukura, edukative, ku kemi vendosje të problemit, bashkëpunim dhe zgjidhje, me një mesazh që ka vlerë njerëzore.
Libri prezanton një kthehje me një episod të ri: Andrushi, së bashku me miqtë e tij, përgatiten për një festë magjike (pra, një natë, manifestim festiv me elementë magjikë dhe surpriza. Vetë libri është si “një histori plot ngjyra, buzëqeshje dhe dashuri për festat, dhe si një episod që ndihmon fëmijët të njohin nevojat dhe emocionet e tyre gjatë ngjarjeve festive). Këtu, edhe një këndvështrim i imi: historia është përgatitja për festën, ku shfaqen tre ketrushë: Andriku, Andrushi dhe Andrina, bashkëshoqëruar edhe me disa konflikte të vogla, si: keqkuptime, pengesa praktike që zgjidhen me bashkëpunim dhe shpresë se do përfundojnë gëzueshëm, dhe ashtu përfundojnë…
Tre miqtë janë protagonistë: Andrushi, Andrina dhe Andriku, si dhe zonja Vera. Ata janë bashkëpunues me njëri-tjetrin; kjo triadë ndajnë punët dhe idetë me njëri-tjetrin që festa të përgatitet e bukur dhe të shkojë bukur! Kjo fal edhe botës, dritës shpirtërore dhe fjalës së ëmbël të zonjës Vera (gjyshja përkujdesëse). Dhe në këtë histori magjepsëse na shfaqen disa tipare, si: bashkëpunimi, solidariteti, empatia, guximi modest, përgjegjshmëria dhe kreativiteti, gëzimi dhe mirësjellja.
Gjuha e kësaj përralle të bukur (dy gjuhësh) është e përshtatshme për mosha parashkollore dhe shkollore të vogla. Një stil i thjeshtë poetik, me ngjarje dinamike, dhe fjalë gjithë dritë.
Talenti i autorit Flori Kasaj, duke ruajtur profilin e veçantë të të gjithë librave të botuar deri më sot, na thotë se e njeh botën dhe psikikën e fëmijëve, dëshirat dhe ëndrrat e çmuara, fluturake të tyre, si dhe mbart një përgjegjësi misionare, kur shkruan letërsi për fëmijë. Kështu, ndodh, kur lexojmë këto tipologji librash, jo i vogli por edhe i madhi në moshë. Dritës së bukur të kësaj përralle ia shtron edhe “drita” e penelit të piktorit Endri Beqo. Një penel që mbart “aromë” ngrohtësie, dashurie dhe rend drejt ëndrrave pakufi së toku me personazhet!..
E shkruar në dy gjuhë, mendoj se është një veprim i duhur, sepse letërsia shqipe ka nevojë të njihet më shumë; ndaj i duhet botimi në gjuhë të tjera.
Libri “Andrushi dhe festa magjike” i shkrimtarit Flori Kasaj, patjetër që gëzon shkrimtarët e Letërsisë për fëmijë, carrokët, prindërit, gjyshërit dhe gjyshet…, si dhe letërsinë shqipe për fëmijë.
Mirë se erdhe, Andrush me miqtë e tu në Universin e bukur e të magjishëm të kësaj Letërsie të çmuar shqipe.
Shkodër, 03.12.2025 [Xhahid Bushati]

Autori: Flori Kasaj,
Përrallë për fëmijë nga 0 deri në 100 vjeç, shqip dhe anglisht,
redaktore: Adelina R. Mamaqi, redaktor i gjuhës angleze: Elvis Hyseni,
ilustrimet: Endri Beqo, botoi: Argeta-LMG, Tiranë 2024.
