Lajmi se “The Powerpuff Girls” po rikthehen në ekran, ka ngjallur entuziazëm te fansat e një prej serialeve më ikonike të animuar. Megjithatë, ndryshe nga titujt që po qarkullojnë në rrjet, projekti nuk ka hyrë ende zyrtarisht në xhirime.
Sipas mediave amerikane, përfshirë Variety, Warner Bros. Pictures Animation ka nisur zhvillimin e një filmi të ri të animuar bazuar në “The Powerpuff Girls”. Burime pranë studios konfirmojnë se projekti është në fazat e hershme të zhvillimit dhe se ende nuk ka marrë dritën jeshile për prodhim, çka do të thotë se xhirimet apo puna intensive e animacionit nuk kanë nisur ende.
Njoftimi u bë gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Animacionit në Annecy, ku studio prezantoi planet për disa projekte të reja. Për momentin nuk janë zbuluar detaje mbi historinë, kastin e zërave apo një datë zyrtare publikimi.

Ky do të jetë rikthimi më i madh i heroinave Blossom, Bubbles dhe Buttercup që nga filmi i animuar i vitit 2002. Gjatë viteve pati edhe tentativa të tjera për ta rikthyer markën, përfshirë serialin live-action të planifikuar nga The CW, i cili u anulua përpara se të transmetohej.
Krijuar nga Craig McCracken, “The Powerpuff Girls” u shndërrua në fund të viteve ’90 në një fenomen global, duke fituar miliona fansa falë kombinimit të humorit, aksionit dhe personazheve të paharrueshëm.
Pra, ndonëse rikthimi i “The Powerpuff Girls” është tashmë një realitet në letër, pretendimet se filmi ka hyrë zyrtarisht në xhirime nuk janë të sakta. Aktualisht projekti ndodhet ende në fazën e zhvillimit dhe fansat do të duhet të presin edhe pak për të mësuar më shumë rreth aventurës së re të tre superheroinave.

