Aurela Gaçe zbulon detaje nga albumi i ri: “Më i rëndësishmi për mua”, titullohet “Letër Vlorës Time”

Aurela Gaçe zbulon detaje nga albumi i ri: “Më i rëndësishmi për mua”, titullohet “Letër Vlorës Time”

Aurela Gaçe ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram një rrëfim të veçantë për projektin më të ri muzikor, duke zbuluar se albumi i ardhshëm do të mbajë titullin “Letër Vlorës Time”.


Këngëtarja tregon se ka punuar plot dy vite e gjysmë për realizimin e këtij albumi, të cilin e konsideron projektin më të rëndësishëm të karrierës së saj. Sipas saj, çdo instrument muzikor është incizuar live, pa përdorimin e elementeve kompjuterike, duke i dhënë albumit një qasje sa më autentike dhe organike. 


Aurela zbulon gjithashtu se një pjesë e madhe e punës është përqendruar te xhirimet, të realizuara gjatë ditëve intensive pune, në temperatura të larta dhe me një ekip të madh produksioni. Xhirimet janë zhvilluar në vende me domethënie të veçantë për artisten, si në Tërbaç, vendlindjen e gjyshërve të saj, në Llakatund, vendlindjen e saj, si edhe në qytetin e Vlorës.


“Tani fillon puna e montazhit dhe finalizimit të këtij projekti nga më të rëndësishmit për mua”, shkruan artistja në mesazhin e publikuar në InstaStory.


Në fund të postimit, Gaçe falënderon të gjithë bashkëpunëtorët që kanë kontribuar në realizimin e albumit, duke theksuar se bëhet fjalë për një projekt të trajtuar ndryshe nga çdo punë e mëparshme.


Me këtë njoftim, Aurela Gaçe ka shtuar edhe më shumë pritshmëritë e publikut për “Letër Vlorës Time”, një album që, sipas vetë artistes, do të jetë një letër e hapur dhe një homazh për vendlindjen e saj.